Propozimi i Ramës për KFOR-in në veri, përgjigjet Kurti: Policia reaguese e parë, s’ndryshon kjo formulë

Që nga trazirat në muajin muaj me instalimin e kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jo legjitimë) në katër komunat veriore, kryeministri shqiptar Edi Rama, i ka rënë borisë së paralajmërimit se veriu mund të shndërrohet në një “Republik të KFOR-it” ndërsa pas sulmeve terroriste që ngjanë në Banjskë të Zveçanit madje kërkoi që KFOR-i të merr nën kontroll sigurinë në ato zona. Kjo hasi në kritika të ashpra nga eksponentë politikë të Vetëvendosjes. E saktësisht për të njëjtën gjë u pyet edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë (ende të papublikuar) me mediumin boshnjak “Istraga.ba”.

Në intervistën me Istraga-n që do të publikohet të dielen Kurti hodhi poshtë edhe paramendimin e një gjëje të tillë, duke rikujtuar se si qëndron shtresa tregradëshe e reagimit në zonat veriore. Policia e Kosovës, si reagues i parë, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit si reagues i dytë, ndërkaq si reagues i tretë dhe i fundit, Misioni Paqembajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Siç e citon Istraga në një ekstrakt të parapublikuar, Kurti ka thënë se “kjo formulë (reagimi) nuk ndryshon”.

Neve na duhet patrollime të përbashkëta mes policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa sa i përket gjërave tjera, ato tashmë janë të mirëvendosura. Kudo në Kosovës – reaguesi i parë është policia jonë, mëpastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe, nuk mendoj se kjo formulë do të ndërrojë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Istraga-n.