Publikohet një pretendim: Ligji i Pagave mund të pezullohet

Qeveria nuk e ka përcaktuar vlerën e koeficientit të pagave, ndonëse ligji është dekretuar dhe është publikuar në gazetën zyrtare. Kryeministri paralajmëroi se shpejt do të merret vesh vlera e koeficientit. Por, partitë opozitare paralajmëruan se sapo kjo të ndodhë, do ta kontestojnë në Kushtetuese ligjin. E, njohës të Kushtetutës thonë se ligji mund të pezullohet nëse atij do t’i kontestohet e tërë përmbajtja.

Ligjit të Pagave mund t’i vendoset masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, nëse palët ankimojnë për shumën e koeficientit, kanë vlerësuar njohës të Kushtetutës.

Mazllum Baraliu ka thënë se kjo do të varet nga objekti i kërkesës që palët mund ta paraqesin në Kushtetuese.

Varet prej saj (Gjykatës) se cilat nene dhe sa janë të rëndësishme. Në qoftë se kemi të bëjmë me nene që e përfshijnë krejt ligjin në aspektin e koeficienteve, atëherë mund ta pezullojë me masë të përkohshme Ligjin, derisa të vendosë përfundimisht”, ka deklaruar Baraliu.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar kontestimin e Ligjit në Gjykatë Kushtetuese. Por, kanë theksuar se këtë hap do ta ndërmarrin pasi të përcaktohet vlera e koeficientit, i cili ende nuk është vendosur, ani se ligji është dekretuar dhe është shpallur në gazetën zyrtare.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet së shpejti.

“Tash do të përllogaritet koeficienti, pra dihet shuma e gjithmbarshme, dihet korpusi i gjithmbarshëm i shërbyesve civilë, administratës sonë publike në përgjithësi dhe ai do të përllogaritet shumë shpejt. Pra, nuk ka asgjë këtu që mbahet fshehur. I takon administratës publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ta sjellë këtë përllogaritje sa më parë”, ka thënë Kurti në konferencën për media të premten.

Vërejtje për ligjin kanë edhe në shoqërinë civile.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deponuar kërkesë tek Avokati i Popullit që ta procedojë Ligjin në Kushtetuese, meqë pretendon se ka mundësi për shkelje të të drejtave të njeriut.

“IKD ka gjetur se ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficienteve. Sa i përket uljes së pagave, ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD ka gjetur se ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik, të cilët ndikohen negativisht nga ky ligj”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Në institucionin e Avokatit të Popullit nuk treguan nëse kanë pranuar edhe kërkesa të tjera përpos asaj të IKD-së. E, për këtë kërkesë kanë thënë se do ta shqyrtojnë brenda afateve ligjore.

Bazuar në dispozitat e tij, Ligji i Pagave hyn në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, përkatësisht më 5 shkurt.