Rama e quan Thaçin ‘shqiponjë’: Serbia u mund me armë dhe zgjuarsi diplomatike nga Hashimi me shokë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të gjatë në Kuvend ku po diskutohet për draft-rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë, ka përmendur edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Rama tha se Serbia u mund për gati çerek shekulli me armë dhe zgjuarsi diplomatike nga Thaçi dhe shokët e tij.

Hashim Thaçi është një shqiponjë që edhe në kafazin e Hagës, i pengon jo pak koka politike apo të polizituar shqiptarësh të mendojnë të lirë se si duhet ta fitojnë luftën diplomatike me Serbinë që u mund me armë dhe zgjuarsi diplomatike nga Hashim Thaçi me shokë që ngritën botën në këmbë me pushkët e tyre.

Prandaj shumëkush andej dhe disa këndej janë gati ta djegin për pleshtin e urrejtjes së tyre jo thjeshtë jorganin e sigurisë së Kosovës bashkë me jorganin e sigurisë së Shqipërisë, por të djegin dhe procesin e formësimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kalon vetëm dhe vetëm përmes shtegut të vështirë të dialogut të normalizimit dhe paqes përfundimtare me Serbinë, krah për krah me aleatët tanë strategjikë  – SHBA dhe BE – dhe asnjë shteg tjetër”, tha ai.