Rama në konferencë me Macron: Kosova të mos ‘mbytet në një lugë ujë’, ta nënshkruajë planin franko-gjerman

Kreu i qeverisë Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Francës Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Kosovës që të firmosë planin franko-gjerman.

Në fjalën e tij Rama theksoi se Kosova ka në krah të gjithë aleatët e saj duke shtuar se duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe të ecë në rrugën e saj europiane.

“E mira e madhe e Kosovës është të firmos unilateralisht të gjithë marrëveshjen dhe sikur Serbia  të mos e dojë kurrë. Pastaj të ja lërë në dorë BE dhe t’i  thotë këto ishin obligimet e planit franko-gjerman, ne i kemi dokumente dhe do t’i zbatojmë. Nuk na intereson fare se çfarë bën Serbia. E bën për veten e vet. Paqen e bën me veten e vet. Paqja bëhet me armikun. Është e tmerrshme të mendosh që ky është një oportunitet i artë në tavolinë që Kosova ka në krah të gjithë aleatët që duhet të ketë, çlirimtarët e saj dhe të mbytet me një lugë ujë se çfarë bën e çfarë nuk bën Presidenti i Serbisë”, ka thënë Rama, raporton Euronews.al.

“Duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe të vazhdojë rrugën e saj Europiane. Këto janë kushtet. Këto janë mundësira themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes”.