Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për tensionet e krijuara në veri të vendit gjatë ditës së djeshme, ku serbët lokal kanë vendosur barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Në konferencën e përbashkët me homologun e tij spanjoll, Rama tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë marrëveshjet e reciprocitetit dhe i bëri thirrje presidencës serbe që mos të justifikojë veprimet e grupeve të caktuara në veri të Kosovës dhe ti kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje.
“Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm për arsye qe lidhen me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjëlloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj së drejtës së tyre, por ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakorduara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar.
Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje. I bëj thirrje autoriteteve në Beogard që të mos ushqejnë me asnjëlloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama./Sinjali