Rama: Stabiliteti në rrezik, rajoni ynë i njeh luftërat – të lëvizim pasi e ardhmja mund të jetë e errët dhe e dhimbshme

“Ukraina nuk po lufton veç për veten”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në nisje të Samitit për Ukrainën që po mbahet në Tiranë.

Rama tha lufta në Ukrainë është “kërcënim mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global”, ndërsa kërkoi që në Ballkanin Perëndimor “të qëndrojmë së bashku”.

Të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm. I gjithë projekti europian, përfshirë edhe ekzistencën e Bashkimit Europian, do të ishte në rrezik. Ëndrra jonë e përbashkët për një të ardhme me paqe, prosperitet, do të çohej në buzën e një të ardhmeje shumë shumë më të errët, një e ardhme që është shumë e dhimbshme për t’u parafytyruar”, tha ai.

Rama kujtoi se në rajonin e Ballkanit Perëndimor i njohin luftërat dhe pasojat e tyre. Plagët e tyre, tha se “ende duhen shëruar”.