Rama udhëton drejt Turqisë, takohet me Erdoganin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë pune në Ankara, Turqi, ku do të mikpritet nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndalesa e parë e Ramës do të jetë në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.

Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që do të mbahet në Presidencën e Republikës së Turqisë, Rama dhe Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.

Më pas, Rama dhe Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes Kryeministri Rama do të adresohet me një fjalë.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Në përfundim të vizitës, kryeministri Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të komunikojnë për median deklaratën e përbashkët për shtyp.

Së bashku me kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë dhe Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi; Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu; Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu; si dhe Ministrja i Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, njofton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.