Raporti i DASH: Hapa jokonsistentë për të gjykuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime

Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.

Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Në raportet e kaluara është përmendur edhe korrupsioni qeveritar dhe kërcënimi për dhunë që shënjestron minoritete etnike dhe komunitetet e margjinalizuara.

“Qeveria ka marrë hapa kredibilë por jokonsistentë për të identifikuar, hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime me të drejtat e njeriut”, është thënë në raport.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit është thënë se SHBA-ja është zotuar për të rritur investimet në gjithë botën në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se shpreson që vlerësimet e bëra për abuzimet e të drejtave të njeriut në botë, u japin edhe më shumë forcë individëve të guximshëm në gjithë globin, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të përmirësuar kushtet në shtetet e tyre, dhe për ta bërë botën vend më të sigurt për të gjithë.

Në mesin e problemeve kryesore në botë në fushën e të drejtave të njeriut është përmendur ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.