Raportohet se katër serbë dhe një shqiptar kanë gjuajtur me armë në drejtim të Policisë së Kosovës në veri

Pesë persona, katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar mbrëmë në Zubin Potok, ndërsa një tjetër është në kërkim – në lidhje me kontrabandën me mallra, narkotikë dhe sulm ndaj policisë, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri, Veton Elshani.

Sonte, tre orë pas mesnate, policia ka gjetur një grup kontrabandistësh në tre vetura dhe një furgon në afërsi të Çeçevës.

Në momentin që oficerët kanë tentuar t’i ndalojnë, shpjegon Elshani, grupi ka sulmuar me armë zjarri policinë, e cila është kundërpërgjigjur.

“Oficerët e policisë iu përgjigjën zjarrit, por për fat nuk pati viktima”, tha ai.

Më pas në furgon kanë gjetur cigare dhe kanë konstatuar se ka pasur edhe lëndë narkotike.

Pesë të arrestuarit dyshohen për “kontrabandë mallrash”, “posedim të lëndëve narkotike” dhe “sulm ndaj zyrtarit”.

Të katër automjetet janë sekuestruar./Kossev