“Ribashkimi i radikalëve”: Si duhet ta lexojmë koalicionin e Vuçiqit me Sheshelin e dënuar për krime lufte?

17 dhjetori është data, kur në Serbi do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa komuna, përfshirë kryeqytetin serb, Beogradin. Pikërisht për këtë qytet duket të jetë gara më e ashpër, gjë që ka kulmuar me një koalicion shqetësues mes Aleksandar Vuçiqit, president aktual i Serbisë, dhe një të dënuari për krime lufte, Vojislav Sheshel. Pse ndodhi ky koalicion?

Ishte politikani me bindje radikale, pra Shesheli, që e konfirmoi arritjen e koalicionit për zgjedhjet lokale në Beograd dhe në disa qytete të tjera të Serbisë. Përveç ribashkimit të Vuçiqit me kriminelin e dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, në skenën politike është “rikthyer” Tomisllav Nikoliqi, ish-president i Serbisë, që dikur bashkë me Vuçiqin ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Sheshelit.

Sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqi, ndonëse koalicioni mes Vuçiqit dhe Sheshelit është veç për zgjedhjet lokale, ai ka për synim të ndikojë edhe në ato parlamentare. Në përgjigjen e tij, profesori Krasniqi e vë theksin te “sentimentet pansllaviste e fashiste” dhe te gara për votat e së djathtës ekstreme.

“Koalicioni është për zgjedhjet lokale, por me synim që të ndikojë edhe në ato parlamentare, duke marrë një pjesë të votave të ekstremit të djathtë. Disa parti të esktremit të djathtë janë etabluar në skenën politike dhe e kërcënojnë seriozisht fitoren e Vuçiqit. Prandaj është bërë koalicion me Sheshelin dhe është ftuar edhe Tomislalv Nikoliqi në ndihmë. Kontesti kryesor i esktremit të djathtë me Vuciqin është qëndrimi ndaj Rusisë, pasi ata duan faktikisht jo vetëm të mos vendosen sanksione, po edhe të përkrahet agresioni në Ukrainë dhe madje edhe njëfarë bashkimi me Rusinë. Në këtë çështje, Shesheli i konkuron shumë seriozisht. pasi kur ishte në qeverinë federale, është miratuar një dokument për bashkimin e Jugosllavisë (Serbisë) me Rusinë e me Bjellorusinë. Pra, synohet të nxirren ato sentimente pansllaviste e fashiste, për të cilat Shesheli është kapo-banda” – theksoi Krasniqi për Nacionalen.

Gazetari veteran, Halil Matoshi, që është edhe njohës i mirë i politikës serbe, ka një interpretim interesant në lidhje me koalicionin shqetësues të Vuçiqit me ish-mentorin e tij politik, Sheshel. Matoshi i theksoi “psikozën permanente” të Serbisë dhe pamundësinë e shkëputjes me të kaluarën kriminale dhe bashkimit me “lokomotivën progresiste e demokratike”.

“Serbia është në psikozë permanente, sepse nuk po mundet me e kapërcy pragun e ndarjes nga e kaluara kriminale për me u ngjitë në lokomotivën progresiste e demokratike. Por luftë nuk mundet të bëjë më. Është e rrethuar nga NATO-ja, pra nuk është një vend karpatian dhe, mbi të gjitha, ekziston një aleancë e madhe e vendeve ballkanike të demokratizuara që rezistojnë si unike dhe, e fundit, e ka nënshkru kapitullimin në Kumanovë më 9 -10 qershor 1999” – deklaroi Matoshi për Nacionalen.

Të premten, Bojan Pajtiqi, duke folur për gazetën opozitare serbe, “Danas”, vlerësoi se koalicioni i Vuçiqit me Sheshelin është “një ribashkim i radikalëve”. Sipas ish-kryeministrit të Vojvodinës, sa herë që këta tre politikanë – Vuçiqi, Shesheli dhe Nikoliqi – kanë qenë së bashku, Serbia ka hyrë në luftë.

“Një njeri nuk i ndryshon aq lehtë bindjet e tij themelore pas moshës 45-vjeçare dhe më shpesh nuk i ndryshon ato fare. Problemi më i vogël është se radikalët e bashkuar do të garojnë së bashku për votat. Është një problem shumë më i madh, nëse ata fillojnë t’i ndjekin përsëri kroatët, hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe anëtarët e komuniteteve të tjera kombëtare. Sa herë që këta tre kalorës të apokalipsit (i katërti, Millosheviqi, justifikueshëm mungon) ishin bashkë, ky vend hynte në luftëra dhe humbi luftëra, duke jetuar disa nga vitet më të vështira të historisë së tij”– shtoi Pajtiqi për “Danas”-in.