Rigjykohet dhe dënohet me 10 vite burgim i akuzuari për vrasjen në Marmullë të Gjakovës

Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykim e ka dënuar me 10 vite burgim të akuzuarin Prek Gjugja, i cili ngarkohej për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes”, që kishte ndodhur në vitin 2019 në fshatin Marmullë të Gjakovës.

Aktgjykimi ndaj Gjugjës u shpall të mërkurën nga gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Gjugja, në dënimin prej 10 vitesh burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 16 shkurt 2021 deri më 31 janar 2022.

Po ashtu, i njëjti obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 400 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50.

Të dëmtuarit K.B, V.B, dhe A.N për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2021, Alfred Gjugja ishte dënuar me 22 vite burgim unik për vrasjen e tani të ndjerit T.B, për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor të dëmtuarit A.N., dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Prek Gjugja ishte dënuar me 12 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes. Ndërsa, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin prej 34 vjetësh burg që kishte shqiptuar Gjykata e Gjakovës ndaj babë e bir, Prek dhe Alfred Gjugja.

Por, Gjykata Supreme ka vendosur se lënda sa i përket të akuzuarit Alfred Gjugja ka përfunduar dhe është çështje e gjykuar, ndërsa është kthyer në rivendosje në shkallë të parë çështja sa i përket të akuzuarit Prek Gjugja lidhur me veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Alfred Gjugja akuzohej se më 12 mars 2019, rreth orës 18:35, në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, pikërisht në afërsi të shtëpisë së A.N, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B., pas një mosmarrëveshje pronësore. Po ashtu, akuzohej se me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.N. Kurse, Prek Gjugja po ngarkohet se ndihmoi të akuzuarin Alfred në kryerjen e vrasjes.