Rreth 10 pjesëtarë dhanë dorëheqje gjatë janarit nga policia

Afër 10 pjesëtarë e kanë lënë punën në Policinë e Kosovës gjatë janarit.

Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.

Ai ka thënë se ata janë dorëhequr për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre për kushte më të mira.

Zeqiri ka lexuar para deputetëve arsyetimin e njërit nga policët e dorëhequr, që thotë: “Unë zyrtari policor [emri-mbiemri] përmes këtij raporti paraqes kërkesë për dorëheqje nga ekipi reagues i policisë për arsye të mosplotësimit të kërkesës për shtesat e rrezikshmërisë, sigurimit shëndetësor, transportit, mospajisjes më uniformë dhe procesit të avancimit”.

Sipas kryetarit të sindikatës, nëse nuk përmirësohen kushtet dhe nuk plotësohen kërkesat, atëherë mund të ketë dorëheqje të tjera dhe për këtë ai shton se nuk është arsye vetëm migrimi.

“Prej atyre që japin dorëheqje ka që gjejnë punë edhe brenda vendit, aty ku iu sigurohet sigurimi shëndetësor, paga më e lartë… Nuk janë të gjithë që largohen jashtë vendit”.