Rreth 20% e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë faturat mujore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2022.

Rezultatet e anketës janë shqetësuese sa i përket standardit të jetesës dhe vështirësive ekonomike që shumë familje në Kosovë kanë hasur gjatë vitit 2022.

Madje, një pjesë e konsiderueshme e familjeve në Kosovë kanë vështirësi për t’i përballuar edhe faturat mujore.

“Ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj”, thuhet në anketë.

Gjatë vitit 2022, 19 përqind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, dy herë ose më shumë gjatë vitit, ndërsa 65 përqind e ekonomive familjare kanë qenë në gjendje t’i përballojnë pagesat.

Nga rezultatet e dala nga ky publikim rezulton se totali i shpenzimeve për konsum në Kosovë në vitin 2022 ishte 2 527 milion euro, shpenzimet në konsum për një ekonomi familjare ishin 8 106 euro ndërsa shpenzimet për kokë banori ishin 1 903 euro. /Buletini Ekonomik/