“Seanca e Kuvendit në Kushtetuese”, hera e dytë në historinë e Kosovës

Gjykata Kushtetuese në Kosovës, jo rrallë herë ka qenë në qendër të vëmendjës.

Kjo pasi me interpretimet e saj, ka rrëzuar Presidentë, Kryeministra, e ligje. Kohëve të fundit, ky institucion është rikthyer në qendër të diskutimit publik, pikërisht sepse aty (sidomos) opozita, po konteston lëndë vazhdimisht. Madje kjo rrugë anipse krejt institucionale, po kritikohet me të madhe nga pushtetarët. Së fundmi PDK, në këtë organ e ka kontestuar Seancën e Kuvendit, të datës 13 korrik. Në historinë e kushtetutshmërisë së Kosovës edhe më herët ishte kontestuar një seancë e Kuvendit, kur President ishte zgjedhur Behxhet Pacolli.

Çka po konteston PDK-ja?

Partia Demokratike e Kosovës, insiston se ka pasur shkelje të Kushtetutës nga kryetari i Kuvendit, sikur edhe të Rregullores së këtij institucioni, gjatë seancës së 13 korrikut, një seancë më vonë se ajo e “grushtave”.

Sipas PDK-së, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të asaj seance.

Faton Fetahu, avokat i kësaj Partie, ka thënë se interpretimi i gabuar i Konjufcës në lidhje me këtë seancë, dhet të jetë objekt shyqrtimi në Kushtetuese, e se pret vendim meritor për këtë rast.

“Fakti që neni 76 i Kushtetutës së Kosovës e përcakton rregulloren e Kuvendit si një akt i nivelit kushtetues madje është akti nënligjor i vetëm që e përcakton kushtetuta dhe si e tillë duke e trajtuar në nivel të kategorisë kushtetuese, Kushtetuta i ka dhënë rëndësi të posaçme kësaj rregullore dhe mundësisë që e njëjta që interpretohet sa herë që mund të jetë objekt i parashtrimeve që bëhen nga palët e autorizuara në Gjykatën Kushtetuese dhe duke u shkelur kjo rregullore pra duke u shkelë një normë kushtetuese dhe në këtë mënyrë besojmë që gjykata do ta pranoj për vlerësim në mënyrë të pranushmërisë”, ka thënë Fetahu.

Në këtë seancë u miratua edhe Projektligji për Pagën Minimale. Me 60 vota për dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për pagën minimale.

Sipas këtij Ligji paga minimale do të bëhet 264 euro.

Por, Presidentja ende nuk e ka dekretuar atë. Nga Presidenca për Nacionalen e kanë konfirmuar se ky ligj nuk do të dekretohet, derisa Kushtetuesja ta shqyrtoj.

Rasti Pacolli

Ekziston një debat, në mes juristësh, nëse Behxhet Pacolli ishte apo nuk ishte ndonjëherë President i Kosovës. Kjo pasi Pacolli, në shkurt të vitit 2011 u zgjodh president nga kuvendi i Republikës, ne raundin e tretë. Post të cilin Pacolli e “gëzoi” vetëm disa ditë. Në mars të po atij viti, pas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, e mbështetur edhe nga deputetët e AAK-së, për “Vlerësimin e Kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Kosovës” për zgjedhjen në krye të shtetit të Pacollit, u gjet shkelje e kushtetutës, në rastin e votimit të tij në kuvend.

Në Aktgjykimin e Kushtetuesës, në atë kohë thuhej: “Së pari, Gjykata konstatoi se neni 86 shkilet kur deputetët e Kuvendit propozojnë vetëm një kandidat për President, duke theksuar qëllimin e hartuesve të Kushtetutës për të përqafuar një sistem më demokratik në të cilin parakusht për zgjedhjen e Presidentit është që të ketë më shumë se një kandidat, Gjykata përfundoi se zgjedhja në ketë rast është e pavlefshme. Së dyti, Gjykata përfundoi se zgjedhja ishte e pavlefshme edhe për shkak të mungesës së kuorumit 100% të përcaktuar në nenin 86, i cili i obligonte që të gjithë 120 deputetët që të votonin për zgjedhjen e Presidentit (me përjashtim të atyre që kanë marrë leje nga Kryetari i Kuvendit). Në ketë aspekt, Gjykata theksoi se deputetët e kanë për detyrë që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Për arsyet e lartcekura, Gjykata vendosi që të shpall Kërkesën të pranueshme dhe me shtatë vota për dhe dy kundër, vendosi se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit kishte shkelur nenin 86, prandaj ishte pavlefshëm”.

Ndryshe, eksponentët e pushtetit (VV), “gëzojnë” një marrëdhënie mjaft komplekse me Gjykatën Kushtetuese si organ. Kryeministri Kurti, vazhdimisht thirret në Aktgjykimin e Kushtetueses, sa i përket Asociacionit, në anën tjetër, ligjet e kontestuara aty, i quajnë akte “antipopullore”, dhe të dëmshme për vendin.

Mbetet të shihet nëse Kushtetuesja, do ta marrë parasyshë kërkesën e PDK-së, në lidhje me seancën e 13 korrikut, si dhe disa ligje të tjera që veçse janë duke u shqyrtuar aty./Nacionale