SHBA e shqetësuar për ndalimin e dinarit: Kjo tregon për paaftësinë e Qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka drejtuar një sërë kritikash për Qeverinë e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurti, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, sipas të cilës pagesat me para të gatshme mund të kryhen vetëm në Euro.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për zbatimin e vendimit, duke thënë se qytetarët serbë kanë mbetur të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, pas përjashtimit të përdorimit të dinarit serb.

Sipas tij, kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin.

“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka thënë diplomati amerikan.