Shoferi i ambulancës humbet kontrollin e mjetit, dëmtohet bashkë me infermieren

Një 34-vjeçar në Fier është proceduar penalisht pasi duke drejtuar ambulancën, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Përmes një njoftimi Policia bën me dije se nga incidenti ka mbetur i plagosur vetë ai dhe një infermiere që ishte brenda ambulancës.

Njoftimi i Policisë:

Fier-Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në Fier, pasi në datë 07.01.2024, në aksin rrugor “Lushnjë-Fier”, në fshatin Vajkan, duke drejtuar ambulancën, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga.

Si pasojë e kësaj dalje nga rruga është dëmtuar drejtuesi i ambulancës dhe infermjerja, shtetasja A. Ç., 33 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.