Shtëpia-muze që ruan dhimbjet e viktimave të masakrës së Poklekut

Këpucë, pantallona, xhemperë, xhaketa, libra, fletore e sende të tjera qëndrojnë si dëshmi të krimeve të luftës në shtëpinë-muze në fshatin Poklek të Drenasit.

Ato u takojnë disa prej 53 civilëve shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar që u vranë dhe më pas u dogjën nga forcat policore serbe më 17 prill të vitit 1999.

Shtëpia u shndërrua në muze të kujtesës së krimeve ndaj popullatës civile nëpërmjet një intervenimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por, dyert e këtij objekti shumicën e kohës mbesin të mbyllura në mungesë të një ciceroni që vizitorëve do t’ua rrëfente këtë ngjarje tragjike, shkruan REL.

Në këtë shtëpi, më 17 prill të vitit 1999 u vranë 24 fëmijë të moshës nga 6-muajsh e deri në 14 vjeç.

Atë ditë u vranë bashkëshortja dhe katër fëmijët e Fadil Muqollit.

Vajza, Shehidja, ishte 14 vjeçe, ndërsa djemtë: Naseri 12 vjeç, Ylberi 10 vjeç dhe Egzoni 4 vjeç.

“Është shumë e vështirë për t’u futur aty. Për ne, familjarët, është shumë e rëndë ta vizitojmë atë vend e lëre më ta mirëmbajmë”, shprehet Muqolli.

Por, ai e kaloi këtë vështirësi qindra herë në dy dekadat e fundit.

Ai u kujdes që asnjë nga gjurmët e masakrës të mos dëmtohet apo zhduket.

“Për ne, familjarët, kur të shkojmë aty është një ndjenjë që është e vështirë ta them me fjalë, sepse sidomos unë që kam shkuar e i kam tubuar eshtrat e fëmijëve, të familjarëve, me duart e mia që sot kur i afroj duart afër fytyrës, ende e ndiej aromën e eshtrave të fëmijëve… është e rëndë”, thotë Muqolli.

Njëzetepesë vjet pas masakrës së Poklekut, shtëpia e familjes Muqolli ku u vranë dhe u dogjën 53 civilët, ka marrë pamjen e një muzeu.

“Unë nuk kam menduar ndonjëherë se do të bëhet ky muze. Unë i kam ruajtur vetëm për veten time, që t’i kem sepse kur kam shkuar unë aty i kam pa familjarët e mi, 14 anëtarë [të familjes], që m’u kanë vra”, shprehet Muqolli.

Në muret e shtëpisë janë ngjitur fotografitë e shumicës së viktimave, nisur nga fëmijët e deri te më të vjetrit.

Aty janë ekspozuar edhe fotografi të shkrepura pak kohë pas masakrës.

Përveç familjes Muqolli, në këtë shtëpi u vranë edhe anëtarë të familjeve Cerraku, Elshani e Hoxha.

Kjo shtëpi është në mesin e pak objekteve – në të cilat kanë ndodhur krime – që i mbijetuan kohës./ Telegrafi