“S’ka kurrfarë dëmi Kosova”, Konjufca kallxon se cilin Asociacion e pranon

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka dhënë qëndrimet e tij për zhvillimet e fundit politike. Mes tyre, edhe atë për Asociacionin.

Në fakt, ai ka treguar se çfarë Asociacioni do të pranonte ai.

“Nëse një grup komunash i identifikojnë interesat që i lidhin, p.sh. siç është te çështja e vërshimeve, si të bëjmë një projekt të menaxhimit më të mirë të ujrave, të rregullimit të shtretërve të lumenjve, kjo nuk është kurgjo e keqe. Unë jam për një Asociacion të tillë të komunave, nuk i bën dëme asgjë Kosovës” – deklaroi Konjufca.

Megjithatë, z. Konjufca ka deklaruar pozicionin e Kosovës për marrëveshjen evropiane dhe Asociacionin.

“Në Ohër duhet me shku me pozicionin tonë që marrëveshja është e konstruktuar kështu: Ndodh njohja De-Facto dhe pastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit. Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson dhe dëmtohet dhe është gabim me u pozicionua ashtu”, ka thënë Konjufca.