Sot takimi në Këshill të Sigurimit në OKB, presidentja Osmani përfaqëson Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.

Ndryshe, të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.

Serbia në seancë do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq.

Takimi do të mbahet më 23 tetor në ora 21:00 me kohë të Kosovës, ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorku-ut.