Stoltenberg: Propozimi për Asociacionin është hap konstruktiv për lëvizjen e dialogut, Kosova e Serbia të mos i rrisin tensionet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të mos ndërmarrim veprime që mund të tensionojnë edhe më shumë situatën.

Kështu deklaroi Stoltenberg në një konferencë për media para takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg tha se propozimi i ri për draftin e Asociacionit mund të jetë një “hap konstruktiv” për të ecur përpara dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nxitëm edhe Prishtinën edhe Beogradin për t’u angazhuar në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne gjithashtu besojmë që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për të lëvizur këtë dialog në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im përsëri është për Prishtinën dhe Beogradin është që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse dhe sigurisht të mos ndërmarrin ndonjë veprim që mund të rrisë më shumë tensionet në rajon”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg po ashtu tha se NATO do të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të sigurojë stabilitet në rajon.

“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (njëmijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga 27 deri më 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.