Sulmuan forcat e rendit me armë zjarri, policia nis hetim ndaj protestuesve në Zveçan

Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka nisur hetimet ndaj protestuesve që kanë sulmuar policinë me armë zjarri dhe gurë të premten e javës së kaluar në Zveçan.

Policia ka treguar se rreth 80 persona të dhunshëm me mjete eksplozive dhe armë zjarri kanë sulmuar zyrtarët e policisë.

Në raportin policor thuhet se për rastin është njoftuar edhe prokuroria.

Sipas policisë, rasti është iniciuar si “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Zveçan 29.05.2023 – 17:00. Me datën e cekur rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni kanë sulmuar zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, është thënë në raportin e Policisë së Kosovës.

Të premten e javës së kaluar, polica është përballur me protestues të dhunshëm edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq. Kjo kishte ndodhur gjatë aksionit për t`I dërguar kryetarët e rinj në zyrat komunale.