Suspendohet një polic i dyshuar për kontrabandë me mallra, rekomandohet suspendimi edhe i një udhëheqësi

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar një zyrtar policor të dyshuar për kontrabandë me mallra, si dhe ka rekomanduar suspendimin e një udhëheqësi të ndërrimit të policisë kufitare.

Sipas IPK-së, dy ditë më parë hetuesit kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.

Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë) ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë prej mbi 4000 euro (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet) duke vozitur dhe përdorur një veturë private. Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin (zyrtarin policor) dhe në konsultim me Prokurorinë kane iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”.”

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast si dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prushi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.