Faqja jonë përdorë "cookies". Në momentin që pranoni këtë, pajtoheni me kushtet e përdorimit të portalit 07 Press. 

“U gjuajtëm me zollë, granata e armë”, Policia tregon si erdhi deri te vrasja e zyrtarit policor

Policia e Kosovës ka dhënë detaje se si erdhi deri te momenti ku mbeti i vrarë një polic e u plagos një tjetër në veri të vendit.

Sipas policisë, gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë të Veriut, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy kamionë pa targa, ku me çrast është bllokuar hyrja në këtë fshat.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në reagimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, policia tha se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në reagim.

Më tej, policia tha se ata kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara e të armatosura.