Ujkani: Ka shumë mundësi që trajneri i ardhshëm i Kosovës të jetë gjerman

Zëvendës-drejtori i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, tha se ka mundësi që trajneri i ardhshëm i Kosovës të vije nga Gjermania.

Ai nuk zbuloi emra, por tha se janë në bisedime me disa trajnerë cilësorë dhe se shpreson se së shpejti do të zyrtarizohet trajneri i ri i “Dardanëve”.

“Jemi në bisedime me disa trajnerë. Janë nga nivele të larta. Ka shumë mundësi të jetë gjerman. Ka shumë trajnerë që kanë treguar interesim të flasin me neve dhe të shohin planet. Jemi në kontakte me këta trajnerë dhe të shohim. Shpresoj se sa më shpejt të arrihet një marrëveshje të prezantojmë trajnerin e ri”, tha Ujkani për ‘T7’.

Kujtojmë se Kosova është ende në kërkim të një trajneri të ri, pas largimit të Primoz Gliha.

Kombëtarja jonë vitin e kaluar dështoi në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, cikël të cilin e kishte nisur me francezin Alain Giresse, për ta mbyllur pastaj me sllovenin Gliha.