Vrasja e Liridonës: Tre të arrestuar, një armë e veturë e konfiskuar – çka dihet deri tash?

Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P. dhe K.K. dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e Liridona Murselit tri ditë më parë në Prishtinë.

Fillimisht u përfol se Liridona është vrarë nga disa grabitës, që afër kishte burrin e saj, Naim Murselit dhe fëmijët.

Mirëpo dy ditë më pas, të premten, kjo ngjarje mori një epilog krejtësisht tjetër, në pranga të policisë të dyshuar për këtë vepër, tashmë janë tre persona, nderta edhe bashkëshorti i Liridonës, Naimi i cili dyshohet se ka paguar vrasjen e gruas së tij.

Në media u raportua se Murseli, kishte paguar 30 mijë euro vrasjen e gruas së tij, gjithashtu u raportuar se i njëjti 15 mijë euro i kishte dhënë para se të kryhej vrasja, dhe 15 mijë të tjera më pas.

Policia e Kosovës dhe prokuroria dolën me një komunikatë të përbashkët, përmes së cilës fillimisht e konfirmuar arrestimin e dy personave, ndërsa më pas reagoi edhe Ministria e Mbrojtjes, duke konfirmuar arrestimin e personit të tretë, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.” – thuhet në njoftim.

Ndërsa nga Ministrja e Mbrojtjes kanë thënë se “Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.”

Gjatë arrestimi të dyshuarve, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka bastisur dy lokacione në Gjakovë, dhe se në raportin e tyre thuhet se janë konfiskuar një pistoletë më 19 fishekë dhe një veturë.

Tashmë tre të arrestuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ky rast tragjik mori reagime mjaftë të shumta, ku edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar, ku ka thënë se Murseli ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë, duke thënë se ishin cak i një grabitje.

Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje. Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë.” – ka shkruar ajo.

Burimet e Gazetës Nacionale, gjithashtu kanë bërë të ditur se familja e Liridonës, kanë shkuar në Polici dhe kanë bërë kërkesë për zhvarrosjen e trupit nga fshati i bashkëshortit të saj.