Vushtrriasi e rrah brutalisht gruan, e kërcënon me vrasje dhe ia ndalon kontaktin me familjen

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.

Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në Vushtrri, por këtë herë, Sinjali mëson se rasti është denoncuar nga babai i gruas, e cila është viktimë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i njëjti e ka raportuar dhëndrin në Polici, ku ka kërkuar ndihmë pasi dyshon se po ushtron dhunë fizike e psikike ndaj vajzës së tij, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.

Si rezultat i raportimit, viktima është intervistuar lidhur me rastin dhe ka rrëfyer se si i dyshuari e ka keqtrajtuar fizikisht, e ka ndaluar të ketë kontakt me familjen e saj, e madje edhe e ka kërcënuar me vrasje.

Në dëshminë e 27-vjeçares, të dhënë para hetuesve policorë thuhet se ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematikisht nga burri, i cili në rastin e fundit ka eskaluar, pasi ajo vendosi ta njoftojë familjen se i njëjti nuk e ka lejuar të marrë pjesë në ceremoninë e fejesës së motrës.

Kjo situatë shkaktoi shqetësim të madh te familja e saj, që vendosën ta çojnë dhëndrin në Polici.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa brenda afatit ligjor është ushtruar kërkesa për paraburgim.

Pas mbajtjes së seancës, Gjykata ka vendosur ta dërgojë të dyshuarin në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 muaji, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.