Zyrtari i ambasadës italiane kërkon ndihmën e Policisë së Kosovës: E dashura e rrahu dhe iku me veturën zyrtare

Një zyrtar i Ambasadës së Italisë në Prishtinë, ka kërkuar  ndihmën e Policisë së Kosovës.

Nga Prokuroria kanë bërë me dije se zyrtari italian e ka denoncuar të dashurën e tij për dhunë fizike, rast ky që dyshohet se ndodhi në banesën e tyre në kryeqytet.

Në bazë të informacioneve të para, viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se pasi e dashura e ka rrahur, e njëjta ka ikur me veturën e tij zyrtare, duke ia marrë edhe paratë e dokumentet e tjera personale.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka futur të dyshuarën në listën e personave të kërkuar, ndërkohë që njësitet policore akoma s’kanë rënë në gjurmët e saj.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.