24 vjet nga Masakra e Pastaselit

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në Pastasel të Rahovecit. Më 31 mars 1999, në këtë fshat, u vranë dhe u masakruan 106 qytetarë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë përreth.

Dëshmitarët që kanë shpëtuar nga kjo masakër, rrëfejnë për Radio Kosovën tmerrin e asaj dite që përjetuan. Ata, por edhe familjarët e të vrarëve, theksojnë se deri më tani askush nuk u dënua për këtë masakër, edhe pse disa herë kishin dhënë dëshmi, madje edhe në Tribunalin e Hagës.

Beqir Krasniqi, është njëri nga 14 dëshmitarët që i mbijetoi masakrës së 31 marsit të vitit 1999, në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. Së bashku me 120 burra, duke përfshirë edhe fëmijë të moshës 13 vjeçare, Beqiri u vu në rresht për pushkatim tek vendi i quajtur “Përroi i Zyles”, që ndodhej vetëm disa metra poshtë fshatit. “Kur erdhi policia serbe, filluan të na sulmojnë menjëherë. Ata që kanë qenë më të rinj, i kanë nda menjëherë dhe i kanë rrahur, në praninë tonë.

“Këta janë terroristët më të mëdhenj” na thoshin, duke na sharë në nënë e babë”, fillon të rrëfejë për Radio Kosovën, Beqir Krasniqi. Ai thotë se ekzekutimi është bërë në katër grupe, ku secili grup, përbëhej nga të paktën 30 veta. “Pas ekzekutimit të grupit të parë, për më shumë se gjysmë ore na kanë mbajtur ashtu të ulur. Pastaj na ndanin në grupe dhe na ekzekutonin. Të gjithë, që kemi qenë pranë njëri tjetrit, jemi përshëndetur për herë të fundit. Duke na dërguar te përroi i jam lutur Zotit që vetëm një të shpëtojë nga ne dhe të rrëfejë për tmerrin e asaj nate të fundit të marsit”.

Beqiri rrëfen se derisa po e dërgonin për ta ekzekutuar, në grupin tjetër, e kishte vëllain, Pajazitin, që po ashtu priste në radhë edhe ai për t`u dërguar te përroi. “Unë isha në grupin e dytë, dhe nuk e di as vet se si kam rënë në përrua. Trupi më është mbuluar me kufoma të cilat më kanë mbrojtur nga plumbat. Në përrua kam qëndruar derisa është errësuar dhe janë larguar forcat serbe nga aty. E kam dëgjuar Tahir Krasniqin që lëvizte, e vërejta se është gjallë. E kemi parë dhe Murtezan Krasniqi, që ishte i plagosur rëndë dhe së bashku me Tahirin, e kemi marrë dhe jemi nisur në drejtim të Ratkocit”, përfundon rrëfimin e tij Beqir Krasniqi.

Këta martirë nuk ishin vetëm nga Pastaseli, por kishte edhe të fshatrave tjerë përreth komunës së Rahovecit: Senoci, Kazniku, Palluzha, Qifllaku, Kramoviku, Guri i Kuq, Zatriqi e të tjerë, si dhe nga komuna e Klinës, Pejës, Malishevës e më gjerë, të cilët kishin udhëtuar me kilometra të tëra në këmbë, për t’iu shpëtuar masakrave serbe.

Dëshmitari tjetër, Tahir Krasniqi, thotë se pas vrasjes dhe masakrimit, 30 prej tyre i djegin në një shtëpi dhe rimorkio që ishte rreth 50 metra larg vendit të krimit. “Ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Pasi i kanë vra, i kanë masakruar me mjete të forta dhe më pas, 30 prej tyre, i kanë djeg në shtëpi. Kjo ka qenë vrasje e dytë e tyre”, thotë mes tjerash Tahir Krasniqi, derisa rrëfen se si iu kishte shpëtuar plumbave atë natë.

Derisa flet më gjysmë zëri, duke rrëfyer për natën më të trishtuar të jetës së tij, Tahir Krasniqi thotë se më 21 prill, forcat serbe, i kishin zhvarrosur të gjitha kufomat nga varret e tyre. “Të gjithë i kanë ngarkuar në disa kamionë civil, 106 dhe i kanë nisu në drejtim të Rahovecit” shton Krasniqi.

Në pritje të drejtësisë

Gazmend Berishës nga fshati Polluzhë e komunës së Rahovecit, më 31 mars 1999, iu vra babai Veliu në Pastasel. Gazmendi thotë për Radio Kosovën se është shqetësuese kur sot po shënohet 23 vjetori i kësaj masakre dhe askush nuk ka dalë para drejtësisë. “Babai im është vrarë tri herë deri më sot. Njëherë u vra me plumb, më 31 mars. Herën e dytë u vra më 21 prill kur e zhvarrosën nga varri i tij dhe tani është hera e tretë që po vritet, ngase u bënë 20 vjet dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë masakër. Kjo është e tmerrshme, sepse të vriten 106 njerëz të pafajshëm brenda gjysmë ore dhe askush të mos jap përgjegjësi, sinqerisht kjo s`ka se ku shkon më keq”, shprehet i mllefosur Gazmendi.

Për “mbetjen në harresë” të kësaj masakre flasin edhe dëshmitarët. Ata thonë se dhimbjet e plagëve të tyre do të ishin më të lehta nëse do t`i shihnin para drejtësisë ata që urdhëruan dhe gjuajtën plumba duke i vrarë 106 persona. Tahir Krasniqi, thotë se disa herë kishte dhënë deklarata para hetuesve të Tribunalitë të Hagës, porse asnjëherë nuk ishte thirrur për të dëshmuar. E për dallim nga Tahiri, Beqir Krasniqi, së bashku me Avdyl Mazrekun, kishin dëshmuar në Tribunalin e Hagës, në procesin gjyqësor kundër ish shefit të Sigurisë Publike në MUP-in e Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, më 12 dhe 15 qershor të vitit 2009. Gjorgjeviq, gjeneral i policisë serbe, ishte dënuar për krime në Kosovë, në vitin 2011 me 27 vjet burg, por pas ankesës dënimi i është zbritur në 18 vjet.

Sido që të jetë, as pas dy dekadash, nuk janë vënë para drejtësisë kryerësit e masakrës së Pastaselit. E, familjarët e të rënëve, thonë se dhimbjet u lehtësohen vetëm atëherë kur drejtësia të arrij në vendin e saj.