Çmimet në ‘hava’, masat të paefektshme

Në Kosovë, megjithë ndërmarrjen më në fund të ca masave institucionale për të frenuar ngritjen e përditshme dhe të vrullshme të çmimeve dhe për të zbutur sado pak trendet e frikshme të rritjes së tyre, veçmas të prodhimeve bazike ushqimore, efektet janë baraz me zero, janë të pavërejtshme fare dhe të paprekshme nga konsumatorët kosovarë. Me fjalë të tjera, edhe më tutje, thuaja me mëngjes, në marketet dhe supermarketet e këtushme, qytetarët hasin çmime të reja të ngritura. Edhe Ligji për vendosjen e çmimeve tavan për disa produkte esenciale, nuk ka dhënë, praktikisht asnjë rezultat.

Kosova është shumë larg synimeve për të ndalur sadopak shpërthimin e egër të çmimeve të shumicës së produkteve dhe sidomos të atyre të shportës, ose të mallrave ushqimore qenësore si dhe të shërbimeve në përgjithësi. Në Kosovë, madje, megjithë ndërmarrjen më në fund të ca masave institucionale për të frenuar ngritjen e përditshme dhe të vrullshme të çmimeve dhe për të zbutur sado pak trendet e frikshme të rritjes së tyre, veçmas të prodhimeve bazike ushqimore, efektet janë baraz me zero, janë të pavërejtshme fare dhe të paprekshme nga konsumatorët kosovarë.

Me fjalë të tjera, edhe më tutje, thuaja me mëngjes, në marketet dhe supermarketet e këtushme, hasim çmime të reja të ngritura. Edhe projektligji për vendosjen e çmimeve tavan për disa produkte esenciale dhe që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në mirëqenien e kosovarëve, i miratuar së fundi nga Qeveria e Kosovës, së paku qëkur është miratuar në Kuvend, nuk ka dhënë, praktikisht asnjë rezultat.

Siç dihet, Ligji i miratuar në Qeveri parasheh caktim të çmimit tavan për drithërat, miellin e grurit, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Mirëpo, njohësit e rrethanave dhe konsumatorët po shprehen të revoltuar se ky ligj deri më sot nuk ka prodhuar asnjë efekt-edhe më tutje, thuaja njësoj ka lëvizje të çmimeve – ngritje të përditshme edhe te produktet e apostrofuara në ligj për caktimin e çmimeve tavan.

Nuk pati ditë, në këtë periudhë qëkur është miratuar Ligji për çmimet tavan, që nuk pati ngritje çmimesh në Kosovë. Tregtarët, thjesht as që e “vranë mendjen”, me rekomandimet e masave. Përkundrazi, lirshëm dhe pa asnjë shqetësim vazhduan trendin e pandalshëm të ngritjes së çmimeve, që në fakt, është vazhdim në njëfarë mënyre i kaosit dhe anarkisë që ka filluar që nga fundi i vitit 2021, dhe fillimi i këtij viti, i krijuar sidomos nga çmimet atipike të ngritura të produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës.

Pra, tregtarët kosovarë, pa dallime esenciale, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë, kanë krijuar çmime atipike të “fryra” – të ngritura tej mase, dhe, gjithsesi, ndër më të lartat karshi fqinjve me potencë më të shquar ekonomike se në vendin tonë. Mjafton të bësh një vizitë ‘blic’ nëpër marketet dhe supermarketet e vendit, për ta parë shpërthimin e përditshëm të çmimeve. Krahasimi i tyre vetëm me disa ditë më përpara, është treguesi më dëshmues për këtë. Fitohet përshtypja se në ngritjen e çmimeve nga tregtarët kosovarë sikur ka garë, kush më shumë dhe kush më vrullshëm do t’i ngritë ato. Dhe, në rrethanat kur politika e ecurisë së çmimeve vazhdon të jetë totalisht jashtë kontrollit institucional, gjithnjë në këtë garë çmimesh ngadhënjyes janë tregtarët matrapazë, ata të pandershmit, që mezi presin të agojë dita e re për të bërë manipulime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej.

Pos produkteve bazike ushqimore, ngritje çmimesh ka edhe te të gjitha produktet dhe shërbimet e shumta. Çmimet e patundshmërive kanë shkuar në qiell. Kostoja e ndërtimeve në vend sivjet, ka shënuar rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Çmimi i çimentos, është rritur tri herë. Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro. Ndërsa dihet, se sa shumë përdoret betoni në ndërtimtarinë kosovare. Në këtë mënyrë, çmimet e banesave në Kosovë por edhe çmimet e qirave janë rritur rreth 25 për qind, rritje kjo, sipas asociacioneve të ndërtimtarëve, që pritet të vazhdojë edhe më tej.

Në Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërisë, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes së materialeve ndërtimore. Nga ngritja e pandalshme e çmimeve në Kosovë, në fund të tetorit inflacioni ka arritur në në 13 për qind, tregojnë të dhënat zyrtare. Në maj, inflacioni ishte 12.5%, ndërkohë që në fund të prillit ishte 11, 2 për qind.

Mirëpo, ekonomistë të shumtë vlerësojnë që inflacioni është shumë më i lartë se kaq. Ekonomistët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike, paefektshmërinë e masave institucionale për të frenuar sado pak shpërthimin e çmimeve e shohin edhe te vonesa e aplikimit të tyre. Ata, i vlerësojnë të vonuara masat e institucioneve të Kosovës.

Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, thotë për medie se Projektligji do të duhej të miratohej nga dhjetori i vitit të kaluar, kur shkalla e inflacionit ishte vetëm 7 për qind, e jo të pritet që të rriten çmimet e pastaj të vendoset për masa.

“Nëse flasim për vendosjen e çmimit tavan në momentin kur ke inflacion 7 për qind dhe vendos çmimin tavan në momentin kur ke inflacion rreth 13 për qind, është kontekst tjetër dhe ndikimi i çmimit tavan është krejt tjetër. Koha kur e vendos është esenciale”, ka thënë Jakurti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, një nga politikanët aktiv dhe me paraqitje publike më të shpeshta rreth vlerësimeve të ecurive zhvillimore, ka propozuar katër veprime të tjera që, sipas tij, do t’u ndihmonin qytetarëve në përballje me inflacionin.

“Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit; Rritja e pagës minimale në sektorin privat; Ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH; Pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”, ka thënë Hoti.

Ide të ndryshme rreth përballjes me krizën ekonomike dhe atë të çmimeve të ngritura, qarkullojnë goxha shumë nga njohës të rrethanave dhe nga ekspertë të lëmive të caktuara. Shumë nga këto ide janë të respektueshme, të bazuara në përvojat e suksesshme të botës dhe të dëshmuara në praktikë. Dhe, këto ide i kanë të njohura edhe kabinetet përkatëse qeveritare. Prandaj, ato duhet shfrytëzuar në të mirë të zhvillimit të vendit, në të mirë të tejkalimit, apo së paku, të zbutjes së krizave aktuale. Autoritetet kompetente nuk duhet të kenë kaq shumë ngurrime, hezitime, mëdyshje, mosbesim, për të jetësuar një ide të mirë dhe dobiprurëse për vendin. As për ndërmarrjen e masave antikrizë, as për t’i ndihmuar realisht bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve. Ndryshe, edhe më tutje nuk do të ketë efekte nga masat e paralajmëruara për t’i ndihmuar qytetarët me frenimin e ngritjes së çmimeve në përgjithësi, e në veçanti të ngritjes abuzive të tyre, që vazhdojnë të ndodhin njësoj në këtë ndërkohë në tregjet e Kosovës. Dhe, këtë ngritje çmimesh, sidomos të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. /Buletini Ekonomik/