Evropa po piqet nga i nxehti, këtë javë radhën e ka Kosova

Temperatura të larta e kanë përfshirë kontinentin e vjetër. Zjarre të shumta janë regjistruar ditëve të fundit në vendet më të mëdha, kryesisht në frontin perëndimor e atë jugor.

Siç edhe ka raportuar pak më herët Gazeta Nacionale, zjarret në Francën jugperëndimore kanë detyruar evakuimin e rreth 14,000 njerëzve, ndërkohë që në Spanjë zjarrfikësit të mbështetur nga brigadat e urgjencës së forcave të armatosura po përpiqen të shuajnë mbi 30 zjarre që janë duke djegur pyjet në të gjithë vendin.

Temperatura të tilla, të riskut të lartë, do të mbretërojnë edhe javën e ardhshme, konform paralajmërimeve nga hidrometeorologjitë evropiane.

Vendi ynë poashtu pritet të jetë nën ndikimin e këtyre temperaturave, nëse mund t’i apostrofojmë si të mbinormales.

Duke u thirrur në “Prishtina Weather”, sajt i specializuar për parashikim, ky mot do të jetë përgjatë gjithë javës së tretë të muajit korrik.

“Temperaturat në rritje graduale, minimalet zbresin deri në 10C të martën, e më pas në rritje në 15C. Maksimalet nga 28 e 29C në fillim të javës, rriten deri në 34C e 35C të enjten dhe premte.Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, lehtë dhe mesatare 5-11m/s.Shtypja atmosferike në rënie graduale përreth vlerave normale”, thuhet mes tjerash në një postim të sajtit gjegjës.

Heshtja e institucioneve
Përderisa në një vend normal, një situatë me një mot të jashtëzakonshëm do të konsiderohej poashtu e jashtëzakonshme, në vendin tonë duket se askujt s’po i bën për këtë punë, hiç këtu Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, që me datën 27 të muajit paraprak regjistroi thirrjen e fundit ndaj qytetarëve për të pasur kujdes ndaj temperaturave të larta.

Shembull konkret reagimi është Italia. Vendi më i madh i Gadishullit Apenin, shpalli gjendje të jashtëzakonshme, kjo për shkak të thatësisë së madhe. Kujtojmë, Italia nuk është shumë larg nesh.

Madje, pat bërë bujë edhe një nga pikat turistike, ku një liqe, tashmë pa ujë, ishte konvertuar në fushë futbolli.

Sipas të gjitha matjeve krahasimore, kjo është vera më e nxehtë prej 2003-s në Itali.

Pesë rajone, 25%-shi i totalit, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për ujë të pijshëm, çdoherë për shkak të thatësisë abnormale që i ka shterrë lumenjtë.

Asnjëherë më pak borë nuk ka pasur në Alpe, teksa kujtojmë edhe tragjedinë që mori jetë njerëzish.

Autoritetet kosovare ndërkaq, po “mbrohen në heshtje”. Deri më tani nuk ka pasur paralajmërime ose eventualisht masa.

Ripërsërisim faktin se verat te ne shpeshherë janë shoqëruar me djegie të mëdha pyjesh, por që fatmirësisht nuk kanë qenë fatale.

Gjithsesi, mbetet të shihet ditëve në vijim nëse do të ketë paralajmërime në kohë, apo pas.

Thirrja e IKShPK-së
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, temperaturat e larta që mbizotërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut, sidomos te të moshuarit.

Ekspozimi në diell për një kohë të gjatë mund të çojë në dehidrim, që më pas përcillet me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.

IKShPK tutje ka publikuar edhe masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike, e që janë:

1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;

2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;

3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;

4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;

5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente;

6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;

7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;

8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;

9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).

10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.