Iu dha lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajraj

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar sot se i është dhënë lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajraj, i cili vdiq ditë më parë.

Ai ka thënë se Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij.

“I dhamë sot lamtumirën e fundit poetit me përmasa botërore, të cilit inspirimi poetik i buronte nga dashuria e madhe që e ndjente dhe e shfaqte për vendlindjen e tij, Rahovecin e rrushit e të hardhive. Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij, sepse këtu ishte rritur e edukuar, këtu kishte njohur dashurinë e parë dhe këtu ishte mbrujtur me dashurinë për atdheun e tokën e të parëve”, ka shkruar Latifi.

Kryetari i Rahovecit ka thënë se Bajraj, përpara se të ishte poet e profesor i shquar i poezisë në Meksikën e largët, ishte njeri i mirë e me standarde të larta të etikës njerëzore.