22 vite burg për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s që vrau Pjerin Xhuvanin në Elbasan

Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 22 vite burg ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj, i cili është akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Vendimi i 12 korrikut vjen pasi seanca është shtyrë më shumë se pesë herë.

Paplekaj ishte i pranishëm në seancën e sotme ku dëgjoi verdiktin.

Kujtojmë se Prokuroria në seancën e 29 qershorit kërkoi dënimin me 25 vite burg.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore./AlbanianPost