ASK thotë se investimet më të mëdha në 2022 ishin në ndërtim – prijnë Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Statistikave të Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2022.

Sipas rezultateve në nivel vendi, gjatë vitit 2022, vlera e investimeve në ndërmarrje ishte 1 136 988 425 €.

ASK thotë se investimet në ndërtim zënë pjesën kryesore të investimeve me 53,0%. Investimet e tjera që zënë një peshë të konsiderueshme janë ato në makineri dhe pajisje me 42,7%, ndërsa investimet e tjera me një peshë më të vogël në kuadrin e totalit të investimeve janë: investimet në asete të prekshme me rreth 3,7%; investimet në produktet e pronësisë intelektuale me 0,4%; si dhe investimet biologjike të kultivuara dhe serrat në bujqësi me rreth 0,1%, transmeton Telegrafi.

Investimet sipas aktivitetit ekonomik

Aktivitetet me më së shumti investime ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë (26,8%); Ndërtimtaria (25,2%); Prodhimi (15,8%).

Investimet sipas aktivitetit ekonomik, 2022 në (%)

Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve

Në vitin 2022, përqindja më e madhe e investimeve të ndërmarrjeve kosovare ishte te Ndërtimi, Pajisjet dhe Makineritë me mbi 90,0%. Ndërkaq, përqindja më e madhe e investimeve në vend nga ndërmarrjet e vogla (10 – 49 punëtorë) me 44,4%; ndërmarrjet e mesme (50 – 249 punëtorë) me 24,3%; dhe mini ndërmarrjet (1-9 punëtorë) me 22,7%.

Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve, (%)

Sipas rezultateve në nivel vendi, në vitin 2022, përqindja më e lartë e investimeve të ndërmarrjeve sipas rajoneve ishte në: Prishtinë (49,9%); Prizren (11,3%); Mitrovicë (9,9%); Gjilan (8,9%); Pejë (7,4%); Ferizaj (6,7%); dhe Gjakovë (6,0%).

Blerjet e reja, të importuara dhe investimet në vijim

Në kuadrin e blerjeve të reja investive prin: Ndërtimtaria (28,3%); Tregtia me shumicë dhe pakicë (24,2%); Prodhimi (16,1%); Furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar (10,6%). Kurse sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

Sektorët që prijnë në blerje të importuara ishin: Prodhimi (24,7%); Tregtia me shumicë dhe pakicë (23,1%); dhe Informacioni dhe komunikimi (17,1%). Kurse sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

Te blerjet investive në vijim prin: Tregtia me shumicë dhe pakicë (46,6%); Ndërtimtaria (24,4%); Aktivitetet e patundshmërisë (7,9%); dhe Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (7,8%). Kurse sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

Burimet e mjeteve për financimin e investimeve

Sa i përket burimit të investimeve, rreth 50,6% e vlerës së investimeve të ndërmarrjeve ishte realizuar nga fondet e veta; dhe 35,1% nga bankat vendore. Ndërkaq, burimet e tjera zënë një peshë më të vogël në kuadrin e burimeve totale për investime.