Raportet e DASh dhe Freedom House, Qeveria rikthehet sërish para 14 shkurtit: Problemet i kemi trashëguar

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë një reagim të gjatë pas dy raporteve, njëri i Departamentit Amerikan e tjetri i Freedom House ku Qeveria kritikohej ashpër.

Siç jemi mësuar t’i shohim këto reagime tashmë, Qeveria po deklarohet se të njëjtat vënë në pah problemin që është i trashërguar.

Tutje, Kryeziu përmend termet e përdorura në raportet e kaluara si “korrupsion endemik” dhe“korrupsion i përhapur”, por jo atë të vitit 2023, ku thuhet “korrupsion serioz qeveritar”.

“Për shembull në raportet e DASh-it në vitet e mëparshme, për përshkrimin e korrupsionit në qeveri përdoreshin shprehje si “korrupsion endemik” (këtë e gjeni në raportet për vitet 2016, 2017 e 2018) dhe “korrupsion i përhapur” (në raportin e vitit 2014), që tregojnë një shkallë të lartë të korrupsionit qeveritar. Shprehje si këto nuk i gjeni në raportin e këtij viti dhe atij të kaluar. Madje në raportin e fundit theksohet se qeveria ka ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar e ndëshkuar zyrtarë që mund të kenë kryer abuzime apo keqpërdorime. Ju rikujtojmë që gjatë qeverisë sonë qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme.” – ka shkruar ai.

Të njëjtat raporte, sipas tij, flasin për sistem të drejtësisë që është i korruptuar:

“Hapi i radhës për luftim efektiv të korrupsionit është krijimi i një sistemi të drejtësisë që siguron ndëshkueshmëri ndaj veprave korruptive. Kjo arrihet përmes vettingut në drejtësi. Që është angazhim i yni. Të njëjtat raporte, pra të DASh-it dhe të Freedom House flasin pikërisht për sistemin jo efikas të drejtësisë dhe të korruptuar si pjesë e problemit. Luftimi i korrupsionit, sidomos në institucione, duhet të jetë synim i përbashkët. Po, qeveria duhet të luaj një rol udhëheqës dhe shembullor, por janë institucionet tjera, ato të hetimit dhe të drejtësisë të cilat e bëjnë përfundimisht të mundur luftën e suksesshme ndaj korrupsionit”.

Kurti megjithatë, ndryshe prej zëdhënësit e tij, ka pranuar se ka kritika edhe për Qeverinë që ai e drejton.

Në një intervistë për “DW”, njëra nga pyetjet që iu bë atij, ishte edhe kjo:

“Ju thatë se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan tö Shtetit, megjithatë, flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias. Si e komentoni raportin?”.

Kurti thotë se po të citoheshin raporte të disa organizatave të tjera, “do të lavdërohej Kosova”.

“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova.”