Blinken në Tiranë, zbardhen 2 marrëveshjet që do të nënshkruhen nesër mes Shqipërisë dhe SHBA

Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do të mbajë nesër në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken.

Këshilli i ministrave, ka miratuar në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

Agjenda e Blinken

Vizita e tij 10-orëshe pritet të startojë të enjten në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që do të përcillen do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.