Çitaku – Kurtit: Kryeministër, je vonshëm dhe askush s`të merr seriozisht

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili sot ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do ta hartojë një draft të Asociacionit.

Ajo ka bërë me dije se ky veprim e bën kryeministrin joserioz.

E dyta e PDK-së ka ironizuar me kushtet e deritashme të Kurtit për dialogun me Serbinë.

Kryeministri Kurti i paska postu edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze! Në fakt, ai vet është joserioz. Një palaço jo-qesharak. Qe një kronologji: 1. Për 6-7 vjet, Albin Kurti ka përdorur dhunë kundër çfarëdo marrëveshje të ndihmuar nga aleatët, duke mos kursyer asgjë dhe askënd: Është derdhur edhe gjak nëpër rrugë, janë hedhur bomba, gaz lotsjellës dhe është thirrur në luftë vëllavrasëse. 2. Pas ardhjes në pushtet, tash Albin Kurti thotë që nuk e ka prioritet dialogun, dhe zbulon formula të ndryshme, përfshi “pesë kushte”, “tre principe”, “gjashtë pika” dhe zbulime të tjera të cilat janë harruar ca ditë më pas, ngase askush s’i ka marrë seriozisht – madje as ai”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se kryeministrin Kurti askush nuk e merr seriozisht.

Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, Kryeministri qohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin. Kryeministër, je edhe vonë edhe i vonshëm. Askush nuk po të merr seriozisht. Të gjithë, e më së shumti aleatët ndërkombëtarë, i injorojnë fjalimet dhe pikat e tuaja të shumta që propozon tash e sa vjet. Kosova ende vuan nën sanskione bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë. Fokusohu, merr vendime, e mos u merr me fjalime dhe postime. Facebooku nuk është mjet adekuat për ‘face-saving’”, ka shkruar Çitaku.