Sinjali raportoi pak më parë ekskluzivisht për aksionin kundër fajdes që po zhvillohet në rajonin e Gjakovës dhe që deri më tani ka rezultuar me pesë persona të arrestuar dhe konfiskimin e armëve, veturave, si dhe provave të tjera. Tashmë burimet kanë dhënë detaje të reja për rastin dhe personat e tjerë të përfshirë.
Siç mëson gazeta aksioni është zhvilluar në shtatë objekte të banimit dhe në disa objekte të tjera, me ç’rast janë kapur pesë të dyshuarit, derisa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia.
Gjatë bastisjeve të zhvilluara në këto lokacione që nga ora 06:00 e mëngjesit janë konfiskuar 2 armë të gjata dhe 2 vetura, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin.
Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale e Gjakovës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur edhe detaje të tjera, por për shkak të procesit dhe mospengimit të rrjedhës normale të aksionit, nuk do t’i publikohen menjëherë.