Djali në Rahovec ushtron dhunë ndaj babait 74-vjeçar, përfundon në pranga të Policisë

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Shpeshherë këto telashe vijnë si pasojë e përdorimit të alkoolit e substancave narkotike. Një rast i tillë i rëndë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në fshatin Dejnë në Rahovec, ku një burrë e ka denoncuar djalin e tij për dhunë në familje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rastin babai 74-vjeçar, ka raportuar të birin, i cili e ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e sulmuar me rrip pas një mosmarrëveshje që patën me njëri-tjetrin.

Sinjali mëson se nga ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku fillimisht 45-vjeçari pati një zënkë me babain, për shkak të një mosmarrëveshje që kishin në familje. Konflikti dyshohet se eskaloi në dhunë fizike, për çka viktima u detyrua ta kërkojë ndihmën e Policisë.

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje”.