E bukur kjo: Bëhen bashkë ish-ushtarët e UÇK-së që në kohë lufte ishin nën 18-vjeç

Ju bashkuan UÇK-së të rinj në moshë. Por, pas 23 vitesh, u takuan ish-ushtarët e UÇK-së të cilët iu bashkuan luftës nën moshën 18 vjeçare.

E qëllimi i organizimit është krijimi i një shoqate për veteranët

Drilon Temaj, tregon momentin kur ju bashkua UÇK-së.

“Si ushtar i UÇK-së jam kyqë në moshën 16 vjeçare. Datëlindjen e 17-të e kam festu në UÇK, si pjesëtar i UÇK-së, si ushtar i ri në Brigadën 112 ‘’Arben Halili’’. Kam marrë pjesë me gjithë babë, e kam babën invalid të luftës”, thotë ai.

Secili nga ta, në kohën e luftës kapën pushkën ani pse ishin të mitur.

Momente të asaj kohe, ata i kujtuan edhe përmes këngës.

Nga Prekazi legjendar, shokëve iu bashkuan edhe tre kushërinj të komandantit, Adem Jasharit.

Esati i cili luftoi krah për krah me Adem Jasharin, thotë se në të ardhmen këtij organizimi do t’i bashkohen ish-ushtarë nga e gjithë Kosova.

“Ky takim është njëherë vetëm për Drenicën por ky do të vazhdojë në nivel qendror në të gjithë Kosovën”, thotë ai.

Ndërsa qëllimi i këtij takimi është krejt i veçantë.

“Do të iniciojmë këtë qëllim që të kemi si formë klubi, si formë shoqate e cila do t’i mbajë nën ombrellë vetëm ata që ishin pjesë e luftës vërtetë dhe nën moshën 18 vjeç”, tregon Agron Kajtazi, organizator i takimit.

Takimi i veteranëve më të rinj në Kosovë u mbajt për herë të parë nga përfundimi i luftës./Tëvë1