E FUNDIT: KFOR-i pritet t’i largojë barrikadat te Përroi i Zhazhës

Policia e Kosovës, para pak çastesh, përmes një komunikate zyrtare ka konfirmuar se sot do të hiqen kamionët e dëmtuar te vendi i njohur si Përroi i Zhazhës.

Gjithashtu bëhet e ditur se për shkaqe sigurie njëri segment i rrugës do të mbyllet.

Më poshtë edhe komunikata e plotë:

Njoftim zyrtar

Prishtinë, më 05 janar 2023

Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar bën të ditur se sot njësitet e KFOR-it do të largojnë mjetet e rënda (kamionët) e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mengjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinje, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve.

Përgjatë kësaj kohe njësitet policore do të asistojnë KFOR-in, si dhe do të ri-orientojnë trafikun.