Fundjava e parë me kufij të hapur, mijëra hyrje nga Kosova drejt Shqipërisë

Që prej 1 majit kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare.

Në pikën kalimin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për qytetarët që duan të hyjnë në territorin e Shqipërisë.

Vendimi për kalimin e kufirit në këtë mënyrë u zgjat nga tre në nëntë muaj të vitit për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve.

Një gjë e tillë është mirëpritur nga udhëtarët shqiptarë nga Kosova që vizitojnë Shqipërinë.

“Tani përderisa jemi një komb dhe themi se jemi një komb e jemi shqiptarë do të duhej që të hiqeshin gjithmonë këto kontrolla se vetëm na i heqë kolonat.

“Ky është një lehtësim i madh si për Kosovën edhe për Shqipërinë”- u shprehën disa prej tyre.

As për të hyrë në Kosovë, deri më 31 dhjetor, udhëtarët nga Shqipëria nuk do kenë nevojë të paraqesin dokumentin e identifikimi para policisë kufitare.

Zgjatja e periudhës së vendimit për kalimin pa kontrolle është mirëpritur sidomos nga shtetasit e Shqipërisë që udhëtojnë çdo ditë në Kosovë.

“Detyrimisht, jemi prej Tropojës e duhet të mos ketë kufi fare. Udhëtojmë shpesh dhe nuk do të duhet të kishte fare kontrolle”– thanë disa prej qytetarëve.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare të Kosovës, që menaxhon me pikë kalimet me Shqipërinë, për tre ditët e para të muajit maj, në Kosovë kanë hyrë mbi 47 mijë persona e nga vendi kanë dalë po ashtu mbi 47mijë persona./tch/