“Goditje e keqe”, bizneset kosovare ankohen për reduktimet e rrymës – detyrohen të blejnë gjeneratorë

Nga kjo e hënë, në Kosovë kanë filluar reduktimet e rrymës që i lajmëroi KEDS dje afër mesnatës.

Si pasojë e kësaj, bizneset që nga dita e parë po përballen me problemet që shkakton mungesa e elektricitetit. Ata janë detyruar të blejnë gjeneratorë dhe naftë në sasi të madhe, që mos ta ndalin punën.

Bizneset e kontaktuara nga Nacionale, kanë treguar ndikimet që do të kenë reduktimet në mbarëvajtjen e kompanive të tyre.

Ndërsa Dhoma e Tregtisë ka kërkuar masa emergjente nga ana e Qeverisë, për t’iu mundësuar bizneseve furnizim 24 orë me energji elektrike.

Ditë e pazakontë

Funksionimi i bizneseve, qoftë prodhuese apo shërbyese, ka ndryshuar nga kjo e hënë.

Hiç e zakonshme nuk ishte dita e hënë për Nebi Selmanin, pronarin e restorantit të dasmave në qytetin e Vitisë.

Atij iu vështirësua në masë të madhe krejt organizimi i ahengjeve familjare, që klientët e kishin rezervuar për datën e ditës së hënë. E gjithë kjo pasi siç paralajmëroi dje KEDS, reduktimet me energji elektrike hynë në fuqi nga mëngjesi i sotëm.

Selmani u detyrua të blejë gjeneratorë në momentet e fundit, që mos t’i dështojnë dasmat e rezervuara.

Ai, i tregon Nacionales, se po punon shumë për t’u rimëkëmbur nga dëmi i pandemisë.

“Ende jemi duke punu për me i marrë këmbët nga pandemia që na goditi mjaft shumë, tash filluan reduktimet, që nënkupton sa po mundohemi me u qu në kambë, po e kemi një goditje tjetër. Jemi detyru me ble gjeneratorë që mos me na dështu dasmat, sepse ka 2 orë spo ka rrymë. Pa dyshim që gjeneratorët ishin mjaft të kushtueshëm e sidomos tu e pasë parasysh çmimin e naftës muajve të fundit”, tha pronari i restorantit Dajti.

Ndryshe nuk është as në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Reduktimet janë të ngjashme sikurse gjithkah në vend, e problemet po ashtu.

“Reduktimet na ndikojnë në uljen e fitimit sepse gjatë kohës kur nuk na ka rrymë, operimi me agregat është i limitum dhe s’kemi kapacitet’’, tha një punëtor i Extreme, një nga lokalet më të frekuentuara të Prishtinës.

Probleme të operimit në biznesin e tij, kishte edhe një pronar i fabrikës së prodhimit të mobilieve.

Urim Zuka, pronari i fabrikës Migros, tha se mosprodhimi gjatë orës së reduktimeve i dëmton mjaft shumë si biznes.

Kjo pasi që zvogëlohet prodhimi, blihen agregatë shtesë e naftë në sasi të madhe, me çmime goxha të larta.

“Reduktimet e energjisë elektrike pa paralajmërim paraprak, janë jashtëzakonisht të dëmshme për bizneset, e sidomos për neve të cilët bëjmë prodhim, në këtë rast të mobilieve. Sepse po të ishim paralajmëruar më herët, do të gjenim zgjidhje se si të operonim ndryshe që ato orë të reduktimeve, mos ta ndalim prodhimin. Ne tash detyrohemi që mungesën e energjisë ta kompenzojmë me agregatët alternativë, ata duhet të blihen e po ashtu duhet të blihet edhe nafta e cila është shtrenjtuar goxha dhe që duhet sasi e madhe e saj për t’i dalë në krye prodhimit. Shteti duhet të mendojë për bizneset sepse do të dëmtohet buxheti në masë mjaft të madhe, e merreni me mend kur të jemi më afër dimrit se sa do të përkeqësohet situata me energjinë”, tha pronari i fabrikës së mobilieve Migros.

Dhoma e Tregtisë kërkon përkrahje të bizneseve

Dhoma e Tregtisë po ashtu është shprehur e shqetësuar me vendimin e KEDS-it për reduktimet e rrymës.

Të njëjtit kanë kërkuar sigurimin e energjisë elektrike dhe ndërprerjen e reduktimeve.

“Dhoma e Tregtisë ashtu edhe siç ka kërkuar edhe më herët, kërkon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa paraprake dhe KEDS të furnizojë 24h më energji elektrike bizneset, dhe me urgjencë të ndërmarrë masa adekuate që të mos vijë deri te vazhdimi i ndërprerjeve të energjisë elektrike, siç është paralajmëruar nga KEDS 6 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë”, theksuan nga Dhoma.

Tutje ata kërkuan nga qeveria përkrahje të bizneseve.

“Dhoma e Tregtisë kërkon edhe një herë nga Qeveria që t’i përkrahë bizneset me kredi të buta, ulje të TVSH-së në ushqim, heqje të përkohshme të akcizës, ndryshimin e disa politikave fiskale, e aprovimin e disa ligjeve të cilat do të kontribuonin në ruajtjen e vendeve të punës dhe mundësitë e rritjes së tyre”, thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë.

Pse filluan reduktimet?

Në vend nga dita e hënë janë rikthyer reduktimet e rrymës, ku 6 orë do të ketë rrymë dhe 2 orë jo.

Sipas KEDS-it dhe KESCO-s, kjo ka ardhur si pasojë e mosmundësisë financiare që të nominojnë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.

“KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e së hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Ndryshe, partitë opozitare e shumë qytetarë kanë kritikuar Qeverinë Kurti në lidhje me reduktimtin në mes të gushtit. /Nacionale