Hasani: Kosova ka një aleatë të përjetshëm të padiskutueshëm që është Shqipëria

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai këtë mëngjes është takuar me homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz.

Pas fjalës së tij hyrëse ai ka folur për gazetarët ku ka thënë se Kosova ka një aleat të përjetshëm, Shqipërinë.

“Kosova ka një aleatë të përjetshëm të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në çdo rast e çdo moment, në të mirë e në të keqe, Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Hasani para gazetarëve.

Ai tutje ka thënë se Shqipëria i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon dhe gjithashtu edhe në kufijtë e Republikës së Kosovës.

“Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i cohën ushtri fqinjit më te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë më këtë lojën sepse është qesharake. Sepse të gjithë jemi qartë se garancia më e madhe për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, ka thënë tutje ai.