Hovenier: Serbia ka përgjegjësi për ta arrestuar apo ekstraduar Radojiçiqin dhe këdo që ka ikur nga sulmi në Banjskë

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA ka kërkuar arrestimin apo ekstradimin e kryeterroristit Milan Radojiçiq dhe të gjithë terroristëve të tjerë të përfshirë në agresionin e Serbisë në Kosovë, më 24 shtator.

Hovenier shtoi se ShBA kërkon që ata të mbahen përgjegjës derisa e dënoi edhe njëherë sulmin në Banjskë, shkruan Reporteri.net.

“Më lejoni të citoj atë që kolegu im Robert Wood tha në Këshillin e Sigurimit gjatë takimit të fundit të Këshillit të Sigurimit për këtë. Ky është qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së, nuk ka ndryshuar: “Autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo përfshin përgjegjësinë e Serbisë për të hetuar, arrestuar, ekstraduar apo ndjekur penalisht çfarëdo të dyshuari që mund të ketë ikur në Serbi. Ky mbetet qëndrimi i qeverisë sime”, tha Hovenier në Kanal 10.

“Çfarë ndodhi më 24 shtator ishte tragjedi edhe krim. Dhe unë kam thënë një varg gjërash, por do të them se, përsëri, ngushëllimet tona më të thella për popullin e Kosovës, dhe veçanërisht për familjen Bunjaku për humbjen që pësuan. Ishte e tmerrshme”.

Tutje, Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë përfunduar së vlerësuari se kush është përgjegjës për sulmin në Banjskë.

Ai shtoi se, për t’i mbajtur përgjegjës kryesit, po punohet edhe me autoritetet e Kosovës.

“Qeveria amerikane po përfundon vlerësimin e saj të përgjegjësisë. Ende nuk e kemi përfunduar. Por do të përsëris atë që kemi thënë më parë, ata që janë përgjegjës për këtë vepër kriminale, për vrasjen e një polici, për kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe do të punojmë me partnerët tanë kosovarë dhe të tjerët për të siguruar që kjo të ndodhë”, deklaroi ambasadori Hovenier.