I është ngritur aktakuzë, Ahmeti: Unë e kam zbatuar vendimin e gjykatës

Ai tha se është i qetë “përderisa ka qenë në mbrojtje të interesit të Komunës së Prishtinës”.

Në aktakuzën e ngritur më 23 qershor, thuhet se Ahmeti dyshohet që e ka kryer veprën penale “mos-ekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, transmeton Paparaci.

Prokuroria pretendon se prej vitit 2017 deri më 2019, Ahmeti “në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar paluajtshme e të dëmtuarit Mefail CAkolli, parcelën katastrale me nr 206-0, zona katastrale Sofali, ashtu që përreth kufirit të parcelës katastrale në fjaë, ka shtruar trotuar, ka vendosur shtylla të betonit, pengesa në hyrjen me veturë në pronë, kurse nga ana e kundër e kufirit është groposur për rrjedhje uji, vendosje kanalizimi, vendosje copa të drurit duke krijuar shtigje për qytetarë, me çka të dëmtuarit Mefail Cakolli, i ka pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij”.

Megjithëkëtë, Ahmeti u shpreh se një rast i tillë është kamotshëm e qysh prej vitit 2013, por shtoi se e ka pasur një vendim të Gjykatës që ta zbatojë dhe po ashtu një tjetër që mos ta zbatojë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti, thuhet se nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe urdhrin përmbarimor për këmbimin e pronave të të dëmtuarit Mefail Cakolli, në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Unë kam pasur një vendim të Gjykatës me e zbatu vendim të gjykatës, e po ashtu vendim te gjykatës tjetër për moszbatim”, tha ai për Paparacin, të mërkurën mbrëma.

Gjithashtu, ai foli edhe për prokurorin e rast, duke theksuar se ai nuk qenka në dijeni se ekziston një vendim i gjykatës së Apelit për mos-tjetërsim të pronës.

Por, shtoi se beson që një çështje e tillë “do të shtjellohet në seancën e konfirmimit kur do të shpalosim krejt vendimet”.

“Përderisa kam qenë në mbrojtje të interesit të Komunës (së Prishtinës), unë jam i qetë”, tha Ahmeti.