“Opsion për Asociacionin është edhe propozimi i Ramës”

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Bashkimi Evropian kërkon shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri, e pastaj implementim të marrëveshjeve.

Sipas tij, implementimi i marrëveshjeve përfshin prezantimin formal të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Dhe përsëri shumë nga partnerët dhe OJQ-të edhe kryeministri fqinj kanë ofruar një propozim, por partneri kryesor dhe më i rëndësishëm nuk ka vendosur asgjë në tavolinë dhe kjo është Qeveria e Kosovës dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë”, tha Rohe në Rubikon në Klan Kosova.

Rohde, më tej tha se ekziston nevoja urgjente që Qeveria e Kosovës të vendosë diçka në tavolinë, pasi sipas tij, “është problem nëse nuk e bën këtë”.

E, ambasadori francez, Oliver Guerot, tha se Kosova ka një obligim që nga viti 2008 për të krijuar Asociacionin, teksa sipas tij, kjo s’është bërë dhe nuk është sjellja që ata e presin “nga një shtet normal që vepron me shtete tjera normale”.

“Kjo vërejtje nuk i drejtohet vetëm qeverisë aktuale, por edhe qeverive të kaluara që nuk kanë qenë aktive në këtë çështje, tani kemi një qeveri detyra e së cilës është të bëjë diçka për këtë. Më lejoni të shtoj se nuk duam që Kosova të jetë shtet jofunksional, në të kundërtën, ne e shohim qartë një të ardhme të Kosovës brenda institucioneve euroatlantike, brenda Bashkimit Evropian dhe mund të ju them, si ambasador i një shteti themelues të BE-së bashkë me Gjermaninë dhe 4 shtete të tjera, BE-ja është ekstremisht e rëndësishme për ne, dhe funksionimi i mirë i BE-së është ekstremisht e rëndësishme për ne”, tha Guerot.

Sipas tij, ka shumë mënyra për ta themeluar Asociacionin që nuk e dëmtojnë Kosovë, teksa tha se një nga opisionet është edhe ai i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Pra ka shumë mënyra për ta themeluar Asociacionin që nuk e dëmtojnë Kosovën, në të kundërtën ka mënyra për ta themeluar që ta forcojë kohezionin dhe funksionimin e mirë të Kosovës. Siç tha Jorn, ka pasur disa propozime që janë prezantuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, nga shtete fqinje. Një nga opsionet është edhe ai i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”, tha Guerot.