Konjufca harron datën e seancës, shtyhet gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend

Për shkak të mungesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca akuzohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, njoftoi gjykatën se klienti i tij ka qenë i ftuar gojarisht përmes procesverbalit nga seanca e kaluar për seancën e sotme, andaj atij i ka ikur kjo datë dhe nga kabineti i tij i është thënë se data e sotme nuk figuron në agjendë dhe se Konjufca është në një aktivitet jashtë Prishtinës, andaj është e pamundur që brenda një kohe të shkurtër të jetë prezent.

Në këtë seancë munguan edhe dëshmitarët Pal Lekaj, Sllobodan Petkoviq dhe Valdete Bajrami, ndërsa i pranishëm në cilësinë e dëshmitarit ishte Sabri Hamiti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet, raporton “Betimi për Drejtësi.