Kontrata mes KEDS dhe Elektroserver, pritet shpërndarja e furnizimit me energji elektrike në veri

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, bëri të ditur ditën e djeshme se është nënshkruar kontrata komercile mes KEDS-it dhe Elektoserver.

Sipas Lajçak, ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian e ka mirëpriti nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës, KEDS, dhe kompanisë së themeluar sipas ligjit të Kosovës, “Elektrosever”.

Sipas BE-së, ky është hapi i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015. Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”,u tha në reagimin e BE-së.

Lidhur me këtë njoftoi edhe vetë KEDS-i, ku është bërë e ditur se do të fillojë shpërndarja e energjisë elektrike komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media.

“KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.

Tani, KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”, u tha në njoftim.