Kryeministri maqedonas uron Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Është gjuha e vëllait tim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Akademinë Solemne të sotme me rastin e 115 vjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tha se është “gjuha e vëllait tim”.

Kovaçevski e ka quajtur 22 Nëntorin ditë të madhe.

Sot është një ditë e madhe për shqiptarët tanë dhe një ditë e madhe për historinë tonë të përbashkët… Me njësimin dhe standardizimin e alfabetit të shqipes, u hap rruga që shkrimi shqip të bëhej pjesë e thesarit të pasur të trashëgimisë kulturore botërore”, tha Kovaçevski, percjell Portalb.

Tutje, lideri socialist tha se në vend me shekuj janë ushqyer dhe ushqehen gjuhë, fe dhe kultura të ndryshme.

Ai tha se një nga veçoritë më të rëndësishme të njohura të Republikës së Maqedonisë së Veriut është karakteri i saj multietnik dhe multikonfesional.

Edhe pse jo të gjithë flasim të njëjtën gjuhë, historia jonë, rrënjët tona janë të ndërthurura dhe të ndërlidhura. Ne jemi të gjithë të ndryshëm, por në të njëjtën kohë të njëjtë që ndajmë të njëjtat sfida… Vazhdojmë të ndërtojmë një vend ku gjuha amtare ushqehet në shkolla, komuna dhe spitale. Po krijojmë hapësirë ​​për fuqizim dhe valorizim edhe më të madh të vlerave etnike, po i japim hapësirë ​​bashkëjetesës, jo paragjykimeve”, tha Kovaçevski.

Prandaj kemi marrë një sërë masash në drejtim të mbështetjes dhe ruajtjes së gjuhës amtare duke themeluar institucione për promovimin e gjuhës amtare”, tha Kovaçevski.