Kuvendi me seancë plenare, shqyrtohet Projektligji për buxhetin për vitin 2024

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në seancën e radhës plenare.

Në seancën që pritet të fillojë në orën 10:00, në rend dite është vetëm Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.

Gjatë javës së kaluar, Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit 2023.